ME
NU

CALENDARIO / Calendario Cinquepani AL

01 mar 2013
03 MARS 2013

MARS

1/3 E PREMTE II K.K. [II]
Zan 37,3-4.12-13a.17b-28; Ps 104; Mt 21,33-43.45-46
Do të kenë nderim ndaj djalit tim! Mt 21,37
Atë i mirë, kur e dërgove Birin Tënd në botë a nuk mund ta mendoje vallë për kaq shumë urrejtje e kundërshti që do të ishte përplasur mbi Të - të Përzgjedhurin! E megjithatë, edhe nga pjesa më e errët e territ ti ke ditur të bësh që të lindë drita. Ngadhënje përherë edhe në zemrën time me dritën e dashurisë Tënde, o Atë!

2/3 E SHTUNË II K.K. [II]
Mik 7,14-15.18-20; Ps 102; Lk 15,1-3.11-32
U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati Lk 15,20
Kthimi në të cilin jam thirrur gjatë kësaj kohe Kreshme është pikërisht ky: të kthehem tek Ati im. Të mos kthehem i sforcuar nga ndonjë pronar për të vazhduar që t’i bëj shërbyesin, një pronari që do të më ndëshkonte, por të kthehem nga ati; nga një atë që nuk më detyron ta dua, që më ka lënë të lirë t’ia kthej krahët dhe që vazhdon të më presë krahëhapur për të më falur dhe për të më mirëpritur sërisht si një bir.

3/3 E DJELË III K.K Viti C [III]
Zb 3,1-8.13-15; Ps 102; 1Kor 10,1-6.10-12; Lk 13,1-9 ose leximet e Vitit A
Nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata Lk 13,3
Sa fatkeqësi, katastrofa natyrore e luftra ka edhe tani si atëherë! Ata të japin shansin për të përsëritur porosinë Tënde, Jezus: vdekja do ta arrijë gjithmonë njeriun, si një fatkeqësi, nëse ai nuk do të mnirëpresë Ty; vetëm Ti mund ta shndërrosh në një çast të hirit: atë të përqafimit birësor me Atin, që na do dhe na pret!

4/3 E HËNË III K.K. [III]
Sh. Kazimiri † 1484
2Mbr 5,1-15; Ps 41-42; Lk 4,24-30
Lahu e do të pastrohesh 2Mbr 5,13
Naamani nuk donte t’i bindej urdhërit aq të thjeshtë të profetit Elize: i dukej se një veprim kaq i zakonshëm (si ai i të lagurit në ujin e një lumi), nuk do të kishte mundur ta shëronte nga lebra. Pas ndonjëfarë rezistence, megjithatë u bind. Qe pikërisht bindja e tij që e bëri atë veprim dhe atë ujë shpëtues: bindja ndaj Zotit!

5/3 E MARTË III K.K. [III]
Dan 3,25.34-43; Ps 24; Mt 18,21-35
Sepse s’do të turpërohen
ata që shpresën e kanë vënë në ty Dan 3,40
Ne që e kemi mirëpritur Jezusin dhe besojmë se Hyji është Baba, nuk e humbasim shpirtin kur biem sërisht në mëkatet tona, por dimë të vijojmë të besojmë në mëshirën e Tij. Mirënjohës për këtë dhuratë, sot do të jemi përpara Atit me dëshirën që ndokush ende, duke marrë nga Jezusi dritën e vërtetë, të mund ta thërrasë Atë e të gjejë kështu më në fund jetë dhe paqe.

6/3 E MËRKURË III K.K. [III]
Lp 4,1.5-9; Ps 147; Mt 5,17-19
Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej Mt 5,17
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Hyji në të cilin besojmë, nuk është një Hyj që bën e çbën sipas kënaqësisë së vet. Përndryshe, si do të mund të besojmë në të? Është një Hyj që qysh nga fillimi projektoi një ecje për t’u njohur e për të na dhënë bashkimin që Adami e kishte rrënuar. Një ecje me hapa të vegjël, sipas forcave të njeriut mëkatar, një ecje plot durim nga ana e tij, një ecje të cilën Jezusi e ka çuar në përmbushje.

7/3 E ENJTE III K.K. [III]
Shenjtet Perpetua e Feliçita martire † 202/203
Jer 7,23-28; Ps 94; Lk 11,14-23
Dëgjojeni zërin tim Jer 7,23
Faleminderit Atë, pasi Ti që na ke krijuar nga dashuria, je besnik dhe na udhëheq gjatë ecjes! Në këtë kohë të kreshmës duam të të japim më shumë hapësirë Ty, zërit Tënd, dëftimeve të Tua që na bëjnë të maturohemi, duke i dhënë gëzimin jetës sonë; për këtë arsye duam të ndërpresim ndonjë veprimtari të panevojshme…

8/3 E PREMTE III K.K. [III]
Sh. Gjoni i Hyjit fetar † 1550
Oz 14,2-10; Ps 80; Mk 12,28b-34
Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Mk 12,31
Ta duash të afërmin tënd si veten nuk do të thotë: dua veten e në të njëjtën përmasë dua edhe tjetrin. Sot, që është premte, hedh vështrimin nga Jezusi në kryq dhe shikoj se Ai më ka dashur më shumë se veten, duke më preferuar mua para vetes. Gjaku i Jezusit, zbrit mbi mua dhe më jep aftësinë për të dashur të afërmin tim, ashtu siç më do Ti mua, e kështu pra duke ia dhënë atij përparësinë.

9/3 E SHTUNË III K.K. [III]
Sh. Franceska Romana religjioze † 1440
Oz 6,1-6; Ps 50; Lk 18,9-14
Le ta ndjekim
që Zotin mirë ta njohim Oz 6,3
Si mund t’i bindem sot, në këtë fjalën Tënde o Zot? Për fat të keq jam tepër i paditur, edhe në lëndën e besimit… Do të provoj të përjetoj konkretisht një fjalë Tënden, edhe një fjalë të vetme: “Të jeni të mëshirshëm”! Atëherë do të të njoh nga brenda, sepse do të kem jetuar vetë jetën Tënde!

10/3 E DJELË IV K.K. Viti C [IV]
Jos 5,9.10-12; Ps 33; 2Kor 5,17-21;
Lk 15,1-3.11-32 ose leximet e Vitit A
Biro, ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja Lk 15,31
Atë, sot bëmë të kujdesshëm dhe mirënjohës ndaj dashurisë Tënde! Në fakt, më bie ndër mend, se kur nga mëshira dhe prania Jote bëj thesarin në jetën time, di të mirëpres vëllezërit e mi, ndjehem mirë në mbulimin e gabimeve të tyre e në ofrimin e dorës sime atyreve; është një dorë e dobët dhe bosh, të cilën dora jote e përforcon dhe e mbush plot.

11/3 E HËNË IV .K.K. [IV]
Is 65,17-21; Ps 29; Gjn 4,43-54
Shko ï·“ i tha Jezusi ï·“ djali yt është shëndoshë Gjn 4,50
Kjo përgjigje e Jezusit ka qenë një fjalë dhe një ngushëllim i madh për atë baba që e kishte birin duke vdekur.
Megjithatë ajo edhe e ka zotuar dhe vënë në provë të gjithanshme fenë e Tij. Nëse ky njeri nuk do të kishte besuar dhe nuk do të kishte ecur drejt shtëpisë, kush e di nëse do të ishte shëruar… Faleminderit o Zot, për këtë shembull besimi që më ofron liturgjia e sotme.

12/3 E MARTË IV K.K. [IV]
Ez 47,1-9.12; Ps 45; Gjn 5,1-3.5-16
Kush është ai njeri që të tha: ”Merre shtrojen tënde dhe ec?“ Gjn 5,12
Judenjtë i bëjnë këtë pyetje të sëmurit të shëruar në pellgun e Betzaetës. Megjithatë harrojnë një të veçantë shumë të rëndësishme: ky njeri, e pra Jezusi, nuk kishte thënë vetëm “Merre shtrojen tënde dhe ec!”, pra, hiqe qafe barelën tënde, veprim i ndaluar në ditët e shtuna; para së gjithash kishte thënë “Ngrihu”, pra ringjallu nga gjendja jote. Një njeri që mund të japë jetë të re nuk dënohet, por vetëm i shkohet pas.
Jezus, je ti i vetmi njeri që ngadhënjeu mbi vdekjen, pasi je njeriu i vërtetë dhe Hyji i vërtetë.

13/3 E MËRKURË IV K.K. [IV]
Is 49,8-15; Ps 144; Gjn 5,17-30
Përkundrazi, unë ty kurrë nuk të harroj! Is 49,15
Është një letër dashurie për cilindo nga ne që dëgjojmë; gjithësecili do të dijë si ta ruajë! Vien nga Ati dhe nga Jezusi, Shpëtimtari Ynë: mund ta besojmë, mund të kënaqemi, ta adhurojmë e ta falënderojmë!

14/3 E ENJTE IV K.K. [IV]
Dal 32,7-14; Ps 105; Gjn 5,31-47
E ju, prapë se prapë nuk doni të vini tek unë, që ta keni jetën. Gjn 5,40
Faleminderit Jezus: një herë mi ke thënë edhe mua këto fjalë! Ishte koha në të cilën nise të bëje të ndjehej prania jote e gjallë në jetën time. Deri aso kohe nuk të njihja veçse për emër: ishte një kohë lufte mes zakoneve të këqija të mëparshmet dhe frymëzimeve të reja të shenjta të cilat i parandjeja në vetvete. Faleminderit për këtë fjalë tënden, të cilën Shpirti i Shenjtë në këtë çast më ka bërë ta kujtoj dhe që ka ngadhënjyer mbi tundimin për të më larguar sërisht nga Ty.

15/3 E PREMTE IV K.K. [IV]
Fu 2,1.12-22; Ps 33; Gjn 7,1-2.10.25-30
Do të shmangesh nga udha e keqe dhe prej njeriut që mëson gabimin, Fu 2,12
Shpirt i Shenjtë, vë në zemrën e çdo të krishteri një dashuri të madhe për Jezusin, gëzimin e të qenit i Tiji, kurajën për ta jetuar fjalën e Tij; e kështu, kur të takojë refuzimin nga ana e kujt është skllavi i mëkatit, do të mundë, që me faljen e Tij, të japë dashurinë e vetë Atit!

16/3 E SHTUNË IV K.K. [IV]
Jer 11,18-20; Ps 7; Gjn 7,40-53
“Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!” Gjn 7,46
Është shprehja e dalë nga goja e rojeve që u desh ta arrestonin Jezusin. Ata nuk i njihnin Shkrimet; ndoshta, prej punës së tyre, nuk ishin mësuar me lutje të gjata, megjithatë zëri dhe fjala e Jezusit i bënë për vete…
Fjala Jote, Jezus, e shprehur nga Kisha Jote në Shpirtin e Shenjtë, e ka mbushur plot edhe zemrën time!

17/3 E DJELË V K.K. Viti C [I]
Is 43,16-21; Ps 125; Fil 3,8-14; Gjn 8,1-11
ose leximet e Vitit A
“Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!” Gjn 8,7
Me këto fjalë të thjeshta, Jezusi ka shpëtuar skribët dhe farisejtë nga shpirtrat e këqinj të akuzës dhe të urrejtjes, por edhe gruan mëkatare nga vrasja me gurë.
Sa herë o Jezus, me urtësinë e thjeshtësinë e dashurisë së shpërndarë nga ti në ndonjë mbarështues o ndonjë vëlla, ke sjellë shpëtimin në jetën time, dritën dhe lirinë në zemrën time dhe në shtëpinë time… E për mua nuk ka kushtuar asgjë tjetër veçse një akt feje dhe përvuejtërie. Faleminderit, Zot Jezus!

18/3 E HËNË V K.K. [I]
S. Cirili i Jerusalemit ipeshkëv e mësues † 386
Lp 13,1-9.15-17.19-30.33-62; Ps 22; Gjn 8,12-20
“Unë jam drita e botës” Gjn 8,12
Çfarë do të kish qenë bota, çfarë do të kishin qenë personat që ne duam, veprat të cilat na lodhin, vuajtjet që takojmë, nëse drita e fjalës tënde, drita e dashurisë së Atit, nuk do të kalonte mbi çdo gjë për t’i dhënë një domethënie dhe një vlerë amshimi! Të kam mirëpritur Jezus dhe me gëzim ripërtërij përputhjen time në Ty.

19/3 E MARTË SH. JOZEFI i Fejuari i të Lumes Virgjër MARI [P]
2Sam 7,4-5.12-14.16; Ps 88; Rom 4,13.16-18.22; Mt 1,16.18-21.24
Mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde! Mt 1,20
Shën Jozef, çasti i jetës tënde i përkujtuar në Ungjillin e sotëm është një dhuratë që ti na e bën për të gjithë ne! Ajo çfarë ti ke jetuar, në fakt, na siguron se, po qe se kërkojmë vullnetin e Zotit me përvuajtëri e dashuri, nuk do të mbetetmi të zhgënjyer; errësira e jonë do t’ia lërë menjëherë vendin dritës së dashurisë, pasi Hyji i jot dhe i yni është Baba.
Shën Jozef, beko në emrin e Jezusit të gjithë baballarët tanë!

20/3 E MËRKURË V K.K. [I]
Dan 3,14-20.46-50.91-92.95; Dan 3,52-56; Gjn 8,31-42
Fjala ime nuk gjen vend në ju. Gjn 8,37
Faleminderit Jezus, për Fjalën Tënde që më nxit, që më bën të ndalem për të reflektuar, që hedh dritë mbi gjendjen time e që më korrigjon.
Faleminderit për këtë fjalën tënde të sotme që më nxit për të dhënë më shumë hapësirë dhe për të mbetur besnik, për të duruar në dëgjesën e në besimin tek Ti.

21/3 E ENJTE V K.K. [I]
Zan 17,3-9; Ps 104; Gjn 8,51-59
Unë jam Gjn 8,58
“Unë jam”: është emri me të cilin Hyji ishte bërë i njohur në popullin e Izraelit, kur kishte vendosur që ta çlironte nga Egjipti.
Tani Jezusi haptas i atribon vetvetes këtë emër: ai, në fakt, përgjithmonë ka vendosur të ofrohet për të çliruar njerëzimin nga zotërimi i mëkatit dhe nga vdekja. Pas pak kohe do ta adhurojmë në kryq e pastaj si ngadhnjimtar mbi vdekjen: Jezusi është me të vërtetë Hyji që shpëton!
Të adhuroj o Zot Jezus, shpëtimtari im!

22/3 E PREMTE V K.K. [I]
Jer 20,10-13; Ps 17; Gjn 10,31-42
Në dorë tënde e lashë çështjen time Jer 20,12
Jezus, Ti je për ne shembulli më i bukur i besimit në Atin: ke ditur t’i besoheshe Atij me dashuri edhe në vdekje; e nuk ke mbetur i zhgënjyer! Edhe unë e kam parë dashurinë e Atit që të vërë në veprim për mua «mrekullirat e vogla». Fjala Jote, Jezus, jeta Jote, është dritë, është shkëmb: na bën të jetojmë e na ndihmon të vdesim!

23/3 E SHTUNË V K.K. [I]
Sh. Turibio i Mongrovejos ipeshkëv † 1606
Ez 37,21-28; Jer 31,10-13; Gjn 11,45-56
Banesa ime e përhershme do të jetë mes tyre Ez 37,27
Është gjallërues premtimi që Fjala e Hyjit ma bën në pragun e Javës së Shenjtë.
Faleminderit Zot Jezus, sepse ke vuajtur dhe ke vdekur në kryq, derisa me Atin Tënd dhe me Shpirtin e Shenjtë, të mundësh përsëri ta vendosësh banesën Tënde mes nesh, e ne të mund të jetojmë e t’i dëshmojmë botës shenjtërimin dhe paqen Tënde!

24/3 E DJELA E LARIT Viti C [P]
Lk 19,28-40; Is 50,4-7; Ps 21; Fil 2,6-11; Lk 22,14 - 23,56
Lutuni që të mos bini në tundim! Lk 22,40
Zot Jezus ti ke qëndruar në lutje, në të drejtuarën tekAti me besim, madje edhe kur të kushtonte sa një luftë e fortë: djersa jote bëhej pika gjaku. Ati të dëgjoi, të bëri fitimtar edhe në provën më të madhe. Dishepujt e tu, përkundrazi, ndonëse të paralajmëruar nga Ti, nuk ta kanë marrë seriozisht dhe nuk kanë ditur të luten atë natë. Për shembullin tënd dhe për hirin Tënd kjo Javë e Shenjtë qoftë një lutje e vërtetë e vazhdueshme!

25/3 E HËNA E MADHE [II]
Is 42,1-7; Ps 26; Gjn 12,1-11
Lëre! Le ta bëjë këtë për ditën e varrimit tim! Gjn 12,7
Jezusi ndërhyn për të mbrojtur Marinë, motrën e Lazrit, vepra e dashurisë të së cilës ndajTij kritikohet nga Judë Iskarioti. Jezusi është gati për të derdhur gjakun në shpërblim të mëkateve të të gjithë njerëzimit: a nuk është vallë i denjë për këtë parfum të çmueshëm të derdhur mbi këmbët e Tij, të cilat pas pak do të përshkohen nga gozhdët? Vetëm kush nuk e do Jezusin mund të kritikojë një vepër dashurie për Të, e çfarëdollojshme qoftë ajo vepër.

26/3 E MARTJA E MADHE [II]
Is 49,1-6; Ps 70; Gjn 13,21-33.36-38
Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë. Gjn 13,30
“Dhe ishte natë”: ishte në fakt çasti i territ, çasti në të cilin Jezusi lihej të lëshohej nëpërmjet Judës, në duart e njerëzve. Jezusi lë të mbizotërojnë mbi vetveten planet e paudha të njerëzve të sunduar nga princi i kësaj bote dhe drejtpërsëdrejti e lë veten “të gëlltitet” nga terri i vdekjes, por falë dashurisë së Vet, pikërisht nga kjo errësirë do të ringjallet ngadhnjimtar.

27/3 E MËRKURA E MADHE [II]
Is 50,4-9; Ps 68; Mt 26,14-25
Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im Is 50,9
Sa herë o Zot Jezus, i je besuar Atit në jetën Tënde tokësore! E, duke u afruar “Çasti”, besimi Yt bëhej gjithnjë e më i thellë, gjithnjë e më i vuajtur. Faleminderit Jezus! As ne nuk mund ta lëmë të shuhet në zemrën tonë dëshirën e madhe të besimit ndaj Teje e ndaj Atit, sepse në këtë tokë jemi gjithmonë në provë!

28/3 E ENJTJA E MADHE [P]
Dal 12,1-8.11-14; Ps 115; 1Kor 11,23-26;
Gjn 13,1-15 (Mesha “in Coena Domini”)
I deshi deri në pikën e fundit Gjn 13,1
Jezus ti më do “deri në pikën e fundit“! Më do në të gjitha ditët e jetës sime dhe për amshim; më do deri në dhënien e të gjithë vetvetes për mua, si në kryq, ashtu edhe si Bukë e thyer. Dashuria Jote më ripërtëriftë sot duke u bërë banesë në mua: zemra ime njohtë besnikërinë Tënde, dedikimin Tënd, përvujtërinë Tënde, nëpërmjet gëzimit Tënd dhe të vëllezërve që më ke dhënë. Faleminderit Zot Jezus!

29/3 E PREMTJA E MADHE [P]
Is 52,13 - 53,12; Sal 30; Heb 4,14-16; 5,7-9;
Gjn 18,1 - 19,42
Jezusi, u doli para dhe u tha: “Kë kërkoni?” Gjn 18,4
Më përkiste mua, Jezus, i përkiste cilitdo prej nesh t’i paguante Armikut çmimin e shpengimit tënd: por nuk do ta kishim bërë kurrë. Faleminderit, që Ti më je shfaqur përpara! Dashuria ime e Shpëtimtari im, në kryq për mëkatin tim: të adhuroj, të falënderoj e të dua!

30/3 E SHTUNA E MADHE [P]
Nga pushteti i errësirave çliroje shpirtin tim (Antifona e Orës Nëntë)
Jezusi im, Zot i gjithësisë, që mbetesh në varrezë, në qetësi: të adhuroj, të falënderoj e të dua! Pushoj pranë Teje: ti nuk ke nevojë për lutjet e mia; jam unë që prej Teje, të vdekur, marr liri nga çdo pushtet i errësirave dhe jetës së re. Nga varri Yt shpërndahet parfumi më i bukur: ai i të Fejuarit që ka vdekur duke dashur, duke dhënë jetën, për ta marrë, të re, nga Ati për të gjithë ne, që jemi e Fejuara Jote!

31/3 PASHKA E RINGJALLJES Viti C [P]
Vap 10,34.37-43; Ps 117; Kol 3,1-4 ose 1Kor 5,6-8; Gjn 20,1-9 ose Lk 24,1-12
(Në meshën e mbrëmjes Lk 24,13-35)
“Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? Lk 24,5
Në këtë pyetje drejtuar nga engjëlli grave, nuk lipset të përgjigjesh. Askush nuk kërkon një person të gjallë në varrezë.
Duam ta kërkojmë Jezusin atje, ku jeta nuk vjen kurrë e mangët, në zemrën e Atit. Atje do të jemi edhe ne e nuk do të pushojmë së kënduari: “Alelujën” tonë!

 

In primo piano