ME
NU

CALENDARIO / Calendario Cinquepani AL

2012 Paraqitja
PARAQITJA 2012

PARAQITJA

Të dashur lexues, falënderoj Atë Giovanni Salustri i cili më ftoi të bëja këtë paraqitje për kalendarin 2012, që ai ka përgatitur, duke pasqyruar jetën e 40 Shërbëtorëve të Hyjit: Imzot Vinçenc Prennushi dhe 37 Shokët, Atë Luigj Paliq OFM dhe Dom Gjon Gazulli.

Amik Kasoruho, në librin e tij, “Midis burgut dhe Hyjit”, i përgjigjet pyetjes: “Kush gjendet midis burgut dhe Hyjit?”. Autori thotë se për disa është heshtja e Hyjit, dëshpërimi dhe mallkimi. Por midis burgut dhe Hyjit janë edhe mbarështuesit e Hyjit: meshtarët, tamam njerëz, taman shqiptarë dhe taman shenjtër, me një shenjtëri që na bën të kuptojmë shenjtërinë e Hyjit.

Kjo pjesë e vogël e botës, Shqipëria, është një tokë e shenjtë, sepse gjatë historisë së saj vazhdimisht është larë dhe është pasuruar nga gjaku i “martirëve”, të cilët kanë dhënë një dëshmi të guximshme dhe të qëndrueshme të fesë së tyre në Hyjin.

Më 10 nëntor 2002 u hap në katedralen e Shkodrës procesi kanonik dioqezan për shpalljen si “Martirë” të këtyre Shërbëtorëve të Hyjit, viktima të përndjekjeve fetare në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës komuniste (1945-1990).

Më 8 dhjetor 2010, në të kremten e Zojës së Papërlyer, në Katedralen e Shkodrës, me një kremtim solemn, u mbyll Procesi Kanonik dioqezan për 40 Shërbëtorët e Hyjit. Përveç Ipeshkvijve të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, të Autoriteteve të shumta Fetare dhe Civile dhe një morie besimtarësh, ishin të pranishëm Kardinali Claudio Hummes, Ish-Prefekti i Kongregatës për Klerin dhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Ramiro Moliner Ingles.

Më 15 janar 2011 u kemi dorëzuar 14 pakot e dokumenteve Selisë së Shenjtë për shqyrtim dhe për shpalljen si “Martirë” të tyre.

Kush janë këta “martirë”? Janë 38 të cilët janë vrarë në vitet e komunizmit dhe dy më përpara. Natyrisht, janë edhe shumë të tjerë, të cilët, edhe nëse nuk janë ose nuk do të shpallen zyrtarisht “martirë”, megjithatë kanë kaluar vite e vite në burg, duke pësuar tortura mizore dhe çdo lloj përuljeje.

Midis këtyre martirëve janë edhe 4 besimtarë laikë, tre burra dhe një grua: Maria Tuci, e cila vdiq në vitin 1950 pas torturave mizore.

Të gjithë këta Shërbëtorë të Hyjit, para vdekjes, kanë falur përndjekësit dhe vrasësit e tyre dhe kanë vdekur duke bërtitur: “Rroftë Krishti Mbret!”, “Rroftë Feja!” dhe “Rroftë Atdheu!”.

Të dashur lexues, ky kalendar është një rast shumë i volitshëm, pasi duke shfletuar ditët e vitit 2012 do të kemi mundësi t’i njohim këta “Martirë”, t’i duam dhe t’i imitojmë ata. Ky është urimi im. Faleminderit!

† Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

In primo piano