ME
NU

CALENDARIO / Calendario Cinquepani AL

01 apr 2020
04 PRILL 2020

04 PRILL 2020

1/4  E MËRKURË  V° GJ. V. [I] 

Dan 3,14-20.46-50.91-92.95; Dan 3,52-56; Gjn 8,31-42   

Nëse do ta mbani fjalën time, vërtet do të jeni nxënësit e mi   Gjn 8,31

Jezusi po u flet dishepujve që sapo kishin filluar ta dëgjonin, por ende nuk ishin të qëndrueshëm dhe të sigurtë. Çfarë do të thotë të jesh dishepull i Jezusit ? A jam unë? Kur dyshoj mbi atë që Ai më thotë dhe kërkoj të arsyetoj mbi fjalët e Tija, do të thotë që e paraqes në gjykimin tim, që për mua Ai është një mësues si gjithë të tjerët, por jo akoma Zoti im.
O Jezus, nuk dyshoj për Ty! Ti je Fjala e Atit! 

 

2/4  E ENJTE  V° GJ. V. [I] 

(pf: Sh. Françesku nga Paola, eremit, † 1507)

Zan 17,3-9; Ps 104; Gjn 8,51-59  

Ai që e zbaton fjalën time  askurrë s’do ta shohë vdekjen     Gjn 8,51

O Zot Jezus, Fjala Jote del nga dashuria e madhe e zemrës Sate të dlirë dhe të shenjtë. Ajo është e sigurtë dhe e shëndoshë, është një Fjalë që kurrë nuk e humbet vlerën e vet. Ajo është një siguri që jep stabilitet dhe vlerë bindjes sime ndaj Teje! 

  

3/4  E PREMTE  V° GJ. V. [I] 

Jer 20,10-13; Ps 17; Gjn 10,31-42  

Por me mua është Zoti si trimi i trimave    Jer 20,11

Jeremia më ndihmon të shikoj tek Jezusi me besim të madh. Profeti ka besim në fuqinë dhe në dashurinë e Hyjit, si Jezusi e përballon armiqësinë e Judenjve, që kërkojnë ta kapin, duke u besuar plotësisht në Atin. Kështu, edhe unë besoj në Jezusin, Bari i Mirë, që më jep siguri në çdo situatë të vështirë.   

 

4/4  E SHTUNË  V° GJ. V. [I]                       (p: Sh. Izidori, ip. e mës. i K., † 636)

Ez 37,21-28; Jer 31,10-13; Gjn 11,45-56  

Banesa ime e përhershme do të jetë mes tyre    Ez 37,27

Ezekieli raporton besimin e Hyjit, që zgjedh popullin e Izraelit si vend ku ai mund të shfaqet. Dhe në Atë do të jetë pikërisht Jezusi që do të shfaqë plotësinë e dashurisë së Atit, duke ofruar jetën e Vet për t’i bashkuar bijtë e shpërndarë të Hyjit. E lë veten të bashkohem edhe në Kishën e Tij, kaq e çmuar në sytë e Tij. 

 

 5/4  E DIELA E LARIT Viti A [P] 

Mt 21,1-11; Is 50,4-7; Ps 21; Fil 2,6-11; Mundimi: Mt 26,14 - 27,66  

Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit!  Mt 21,9

Sot do të shkosh të marrësh degën e larit për të shpallur mbretërimin e Jezusit. Atë degë do ta çosh në shtëpinë tënde: do të të kujtojë gjithë vitin, që Mbreti yt, Mbreti i zemrës sate dhe Mbreti i mendimeve të tua, është dhe mbetet Ai. Kjo do të thotë që do të mendosh gjithmonë si Ai i ka mësuar Kishës së Vet, e bërë mësuese me dëshirën e Tij dhe kujdestare e vërtetësisë më të pasur të dashurisë së shenjtë dhe besnike. 

 

6/4  E HËNA E MADHE  [II] 

Is 42,1-7; Ps 26; Gjn 12,1-11 

Lëre! Le ta bëjë këtë për ditën e varrimit tim  Gjn 12,7

Jezusi i përgjigjet kritikës së Judës. Ky është dishepulli i Tij, porse akoma më shumë don idetë e veta se sa don Zotin e tij. Maria hesht, dhe në qetësi vazhdon veprën e saj të dashurisë. Ky gjest për Jezusin është një ngushëllim i madh, që e paguan Atë për vuajtjen e Tij, për refuzimin që komplikon vdekjen e Tij.  

 

7/4  E MARTA E MADHE [II] 

Is 49,1-6; Ps 70; Gjn 13,21-33.36-38  

Unë do ta jap jetën për ty!  Gjn 13,37

Pjetri don të bëjë figurë të mirë. Ai i lejon vetes dhe premton atë për të cilën nuk është i aftë. Sa bukur do të kishte qenë, e frytshme, nëse përkundrazi do t’i kishte kërkuar me përvuajtëri Jezusit  Vetë dhuratën për t’i qëndruar besnik! 

  

8/4  E MËRKURA E MADHE [II] 

Is 50,4-9; Ps 68; Mt 26,14-25

Zoti Hyj është ndihmëtari im   Is 50,7

Profeti vendos në gojën e Shërbëtorit të Jahve këtë siguri. Është siguria që jeton Jezusi, kur përgatit Pashkën dhe fillon ta kremtojë me dishepujt e Tij. Mes këtyre është edhe ai që po e dorëzon armiqve. Jezusi është i sigurt për praninë e dashurisë së Atit, për këtë mund të flasë me liri madje edhe për tradhëtinë. 

  

9/4  E ENJTJA E MADHE [P] 

Dal 12,1-8.11-14; Ps 115; 1Kor 11,23-26;  Gjn 13,1-15 (Mesha “in Coena Domini” - “Darka e Fundit”)  

I deshi deri në pikën e fundit  Gjn 13,1

Ungjilltari na zbulon sekretet më të bukura. Si e jetonte Jezusi momentin e Darkës, që e dinte që ishte e fundit? E jetonte të gjithën si dhuratë të dashurisë, aspak i zymtë për atë që po ndodhte përreth Tij dhe kundër Tij. Dashuria e Jezusit nuk ka kufij, nuk njeh pengesa, nuk vuan nga zvogëlimet dhe as nga ngadalësimet. Gjestet e Tija dhe fjalët e Tija, edhe parandjenjat e Tija janë dhuratë e dashurisë. 

 

10/4  E PREMTJA E MADHE [P] 

Is 52,13 - 53,12; Ps 30; Heb 4,14-16; 5,7-9;  Gjn 18,1 - 19,42 

Kë kërkoni?  Gjn18,4

Jezusi u ofrohet atyre që po e kërkojnë për ta kapur. Ai nuk ka frikë. E din, prej Shkrimeve, që është vullneti i Atit që Ai të vuajë dhe të vdesë për të shëlbuar njerëzit nga mëkatet e tyre.
Të falënderojmë, o Zot Jezus, dhe të adhurojmë. Edhe ne të kërkojmë, por për të dashur e për të qëndruar me Ty. 

  

11/4  E SHTUNA E MADHE [P] 

Në duart e Tua është jeta ime  Ps 15

Psalmi, që na propozohet në lutjen e sotme, na ndihmon të bashkohemi me Jezusin, ndërsa i thotë Atit: “O Atë, në duart e Tua po e dorëzoj shpirtin tim”. Akoma, na ndihmon të jetojmë heshtjen e kësaj dite, siç e kanë jetuar Maria dhe gratë e tjera, dhe dishepujt ende të paaftë për të kuptuar Zotin dhe Mësuesin e tyre. 

 

 12/4  PASHKA E RINGJALLJES Viti A [P] 

Vap 10,34.37-43; Ps 117; Kol 3,1-4 ose  1Kor 5,6-8; Gjn 20,1-9 ose  Lk 24,13-35

Me të vërtetë u ngjall Zotëria            Lk 24,34

Ua kanë dëshmuar të Njëmbëdhjetët të dyve, të Emausit, që ktheheshin në errësirën e natës duke kërkuar të njëjtën dëshmi. Njëri-tjetri ishin të habitur nga prania e Jezusit të ringjallur, siç kishin qenë të habitur kur e kishin parë duke ecur mbi liqen, natën e stuhisë. Ne nuk kemi nevojë ta shohim: gëzimi i tyre ka hyrë tashmë në zemrën tonë! Aleluja! 

 

 13/4  E HËNA E PASHKËVE [P] 

Vap 2,14.22-33; Ps 15; Mt 28,8-15 

Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë     Vap 2,32

Sot në atë “të gjithë ne” ndodhem edhe unë, dhe ndodhesh edhe ti. Të jesh dëshmitar, që Jezusi është ngjallur, më jep një gëzim të madh. Dhe si jam? Jam dëshmitar i Jezusit tëringjallur kur nuk ankohem për asgjë, kur jam i qetë përball lajmeve alarmuese, kur sëmundja nuk më bën që të bie në dëshpërim, kur vazhdoj të dua atë që e tregon veten si armik i imi.  

 

14/4  E MARTA E PASHKËVE [P] 

Vap 2,36-41; Ps 32; Gjn 20,11-18  

Kthehuni  Vap2,38

Kësaj radhe është Pjetri, që i përgjigjet pyetjes së atij që dëgjonte lajmin, se Jezusi i kryqëzuar ishte ringjallur: “Çfarë duhet të bëjmë?”. Apostulli përgjigjet me siguri. Ata kanë nevojë të jenë të falur, dhe falja mbërrin kur ka pendesë dhe anëtarësim të plotë ndaj Jezusit, shpëtimtari i vërtetë. 

  

15/4  E MËRKURA E PASHKËVE [P] 

Vap 3,1-10; Ps 104; Lk 24,13-35 

Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur  Lk 24,29

Kjo fjalë është bërë një nga lutjet tona të preferuara. Ata të dy nuk e dinin ende kush ishte Ai që po ftonin. Ne e dimë, e prandaj nuk kushtëzohemi të themi “Rri me ne”, por jemi gati të këmbëngulim: të qëndrojmë me Ty, të vijmë me Ty! 

 

 16/4  E ENJTJA E PASHKËVE [P] 

Vap 3,11-26; Ps 8; Lk 24,35-48  

Paqja me ju!  Lk 24,36 

Tashmë e kishte premtuar gjatë Darkës së fundit: “Po ju jap paqen time”. Tani e dhuron me të vërtetë: paqja e Jezusit është në dispozicion të miqve të Tij. Paqja e Tij është bashkëndarje e të mirave të Tija, ajo e bashkimit të Tij me Atin, të detyrës së Tij në botë dhe të Shpirtit të Tij, i nevojshëm për të realizuar misionin që u besohet nxënësve.

  

17/4  E PREMTJA E PASHKËVE [P] 

Vap 4,1-12; Ps 117; Gjn 21,1-14  

E vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi Vap 4,12

Me guxim të madh Pjetri flet para Sinedrit, organizmi më i lartë, që e kishte dënuar Jezusin dhe ia kishte dorëzuar Pilatit për kryqëzim. Ne i gëzohemi kësaj sigurie. “E vetëm nëpër Të”: nuk do të kërkoj besime të tjera. Nëse unë e udhëzoj veten në to, do të jetë vetëm për të kuptuar se si t’ua shpall atyre Emrin që mund t’i shëlbojë!

   

18/4  E SHTUNA E PASHKËVE [P] 

Vap 4,13-21; Ps 117; Mk 16,9-15 

Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve  Mk 16,15

Duhet tamam ky urdhër, që dishepujt, si hebrenj të mirë, kurrë nuk do të kishin guxuar të hynin në vende të banuara vetëm me paganë. Jezusi i dërgon tek të gjithë, që t’i duan të gjithë, dhe t’u japin të gjithëve – me fjalë dhe vepra – dashurinë e Atit. Edhe sot e përsërit: shkoni tek të gjithë, tek njerëzit e të gjitha besimeve të tjera dhe tek ata që nuk deklarojnë asnjë besim sepse dua t’u jap jetë edhe atyre!

 

19/4  E DIELAe Mëshirës Hyjnore” II°     K. P. Viti A [P] 

Vap 2,42-47; Ps 117; 1Pjt 1,3-9; Gjn 20,19-31  

Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju   Gjn 20,21

Veprimi i mëshirshëm i Hyjit drejt njerëzve nuk është përmbyllur me vdekjen e Jezusit, përkundrazi, me atë ka marrë një impuls të ri. Tani të gjithë apostujt mund të dhurojnë jetë, mund të flasin për Atin, mund ta thërrasin Emrin e Jezusit mbi  mjerimet njerëzore. Madje munden, përkundrazi, duhet ta ndriçojnë botën me Dritën që kanë marrë.

 

 20/4  E HËNË II° K.P. [II] 

Vap 4,23-31; Ps 2; Gjn 3,1-8 

Duhet të lindni përsëri prej së Larti  Gjn 3,7

Fjalë e çuditshme për Nikodemin, por edhe për mua. Të lidësh do të thotë të marrësh jetë: “duhet” ta merrni jetën tuaj jo nga ndjenjat që mbretërojnë mbi tokë, nga reagimet tuaja instiktive, por “prej së larti”, që do të thotë, nga zemra e Atit. Ai duhet të jetë burimi i çdo mendimi tuaj, i çdo gjesti, i të gjitha lëvizjeve të brendshme.

  

21/4  E MARTË  II° K.P. [II]                                     (pf: Sh. Anselmi, ip. e mës. i K., † 1109)

Vap 4,32-37; Ps 92; Gjn 3,7-15 

Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë      Vap 4,32

Si është e mundur një ndryshim kaq radikal? Në këtë botë është e pamundur, dhe në fakt ishte një realitet i ri edhe për botën hebraike. Ata që besonin në Jezusin, merrnin Shpirtin Shenjt, dhe Shpirti i Shenjtë është burim bashkimi e uniteti. Është Ai sekreti për të ndryshuar botën!

  

22/4  E MËRKURË  II° K.P. [II] 

Vap 5,17-26; Ps 33; Gjn 3,16-21 

Kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë   Gjn 3,21

Jezusi kishte thënë: që kush bën të keqen nuk e kërkon dritën, për frikën se mos akuzohet. E prisja që të vazhdonte kështu: «kush bën të mirën» nuk ka frikë për dritën. Jo, nuk thotë «kush bën të mirën», por “ai që e vë në zbatim të vërtetën”. Të bësh mirë, mund të lërë keqkuptime. Kush zbaton të vërtetën është ai që, me veprat e veta, shfaq dashurinë e Atit!

 

 23/4  E ENJTE  II° K.P. [II]                                      (pf: Sh. Gjergji, mart., † 303 ca; Sh. Adalberti, ip. e mart., † 997)

Vap 5,27-33; Ps 33; Gjn 3,31-36

Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues   Vap 5,31

Të flasësh për Jezusin është gjithmonë një dhuratë, dhuratë për atë që flet e dhuratë për atë që e dëgjon. Kush flet për Atë, merr hirin nga të menduarit për Të, dhe kush dëgjon, lartësohet që të shijojë misteret e Hyjit. Të thuhet që Jezusi është në të djathtën e Hyjit, është sikur të thuhet, që edhe Ai ushtron krejt fuqinë e dashurisë së plotë dhe gjallëruese. Për ta thënë, do të thotë tashmë ta bëjmë ekperiencë!

  

24/4  E PREMTE  II° K.P. [II]                          (pf: Sh. Fedeli i Sigmaringenit, mesh. e mart. † 1622)

Vap 5,34-42; Ps 26; Gjn 6,1-15 

I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull  Vap 5,40

Siç Jezusi, që kishte qenë frushkullur pa arsye – në fakt, Pilati e kishte deklaruar pa faj -, kështu ndodh edhe me apostujt. Sinedri nuk i njeh ata në faj, gjithësesi i frushkullon. Ata nuk ankohen, përkundrazi, ikin me gëzim: kishin vuajtur për Emrin e Jezusit!

  

25/4   E SHTUNË  SH. MARKU, UNGJILLTAR [P] 

1Pjt 5,5-14; Ps 88; Mk 16,15-20 

Paqja me të gjithë ju që jeni në Krishtin  1Pjt 5,14

Kur Pjetri u shkruante bashkësive që i kishte ungjillizuar në Azinë e vogël, Marku ishte më të në Romë, dhe i jepte ngushëllim. Në fakt e quan, “biri im”. Sot atij i kremtojmë festën: ai na ka bërë dhuratën e Ungjillit, e shkruar për të na ndihmuar ta ri-njohim “Birin e Hyjit”. Në këtë besim dëshirojmë të rrimë të qëndrueshëm, dhe kështu, do të kemi paqe dhe shëlbim.

 

26/4  E DIEL  III° K.P. Viti A [III] 

Vap 2,14.22-33; Ps 15; 1Pjt 1,17-21; Lk 24,13-35

Atyre iu hapën sytë dhe e njohën    Lk 24,31

Deri në atë cast, mendoni se ishte një udhëtar i çfarëdoshëm. Tani që kanë filluar t’i mendojnë seriozisht Shkrimet, mjafton gjesti i vogël i copëtimit të bukës, dhe ja që shkëlqen e reja e madhe: Jezusi është ringjallur dhe është këtu! Sytë shohin, por nuk vështrojnë, sikur të ishin të mbyllura. Dëgjoje Fjalën, dhe ji i kujdesshëm ndaj gjesteve të vogla: do të të hapen edhe sytë tuaj.

 

 

27/4  E HËNË  III° K.P. [III] 

Vap 6,8-15; Ps 118; Gjn 6,22-29 

Panë se ishte në fytyrë si engjëll   Vap 6,15

Është fytyra e Shtjefnit, që shkëlqen me dritë, ndërsa akuzohet dhe e shpifin për shkak të dashurisë së tij për Jezusin. Ai nuk reagon me fyrje apo shpirt dhune, por vazhdon ta duajë Zotin e tij. Dhe fytyra e tij është dëshmitare e së vërtetës !

  

28/4  E MARTË  III° K.P. [III]                          (pf: Sh. Luigj Maria Grignon  nga Montfort, mesh., † 1716; Sh. Pjetri Chanel, mesh. e mart., † 1841; Sh. Xhana Bereta Molla, † 1962)

Vap 7,51 - 8,1; Ps 30; Gjn 6,30-35 

Unë jam buka e jetës  Gjn 6,35

Zoti sapo u kishte rekomanduar që të mos kërkonin bukën që mbaron, por atë që zgjat për jetën e amshuar. Tani pyet se cila është kjo bukë kaq e rëndësishme, përkundrazi, mëse e domosdoshme: është Vetë Ai. Ne do ta hamë, që do të thotë, do ta fusim brenda nesh, do të lihemi të transformohemi prej Atij. Do të hamë bukën euharistike, duke pranuar gjithçka prej Jezusit: fjalë, mësime, mënyrat e Tija të të vepruarit me kujdes dhe me dashuri.

 

29/4  E MËRKURË  SH. KATERINA E SIENËS, († 1380), Pajtorja e Italisë dhe Europës [P] 

1Gjn 1,5 - 2,2; Ps 102; Mt 11,25-30 

Merrni mbi vete zgjedhën time        Mt 11,29

Të marrësh mbi vete zgjedhën e dikujt, dukshëm do të thotë,  t’i bindesh dhe të punosh për të. Sot na ndihmon shembulli i Katerinës. Ajo me të vërtetë e ka marrë zgjedhën e Jezusit mbi vete, që e re. Jeta e saj e shkurtër ka qenë t’i dhurohej krejtësisht Zotit, duke injoruar kritika, duke përballuar mundime dhe duke i tejkaluar dëshpërimet. Ishte e dashuruar me Atë!

  

30/4  E ENJTE III° K.P. [III]                                              (pf: Sh. Piu V, papë, † 1572; Sh. Donati, ip.)

Vap 8,26-40; Ps 65; Gjn 6,44-51 

Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit   Gjn 6,44

Kush? Ai që vjen tek Jezusi duke iu bindur Atit. Ky merr jetën e amshuar, jetën e re, që e bashkon me Hyjin. Të shkosh tek Jezusi: është hapi që ka bërë qeveritari i mbretëreshës së Etiopisë kur, duke i besuar Filipit që i fliste për Jezusin, u pagëzua. Jeta e tij u mbush me gëzim: kishte hyrë në ringjallje!

In primo piano