ME
NU

CALENDARIO / Calendario Cinquepani AL

01 giu 2019
06 QERSHOR 2019

06 QERSHOR 2019

 

1/6  E SHTUNË VI K.P. [II]

(p: Sh. Justini, mart., † 165)

Vap 18,23-28; Ps 46; Gjn 16,23-28

Sepse vetë Ati ju do, pasi ju më deshët mua e besuat se dola prej Hyjit  Gjn 16,27

 

Dishepujt e Jezusit, duke qëndruar me të, duke e mirëpritur Fjalën e tij, ishin të mirëpritur e të dashur tek Ati, Zot i qiellit dhe i tokës. Jeta e tyre ishte në duart e tij, të sigurtë. Kështu edhe ne, duke e mirëpritur përmes Kishës së tij, Jezusin vetë, Fjalën e tij dhe dhuratat e hirit të tij, ecim të sigurtë drejt Atit dhe deri më tani e shijojmë dashurinë.

 

 

2/6  E DIEL NGJITJA E ZOTIT NË QIELL Viti C (E kremte)[P]

Vap 1,1-11; Ps 46; Heb 9,24-28; 10,19-23; Lk 24,46-53

Qëndroni, prandaj,në qytet  Lk 24,49

Ndërsa ngjitet në qiell, Jezusi i fton të tijtë të qëndrojnë në qytet, derisa ta ketë dërguar mbi ata, prej Atit, Shpirtin Shenjt. Ky do t’i bëjë dëshmitarë para të gjithë popujve. Nëntëditshja e Rrëshajëvë është tamam një kohë për të qëndruar“në qytet”: kohë më e fortë lutjeje. Do të rezervojmë gjithnjë disa kohë kështu: lutja, në fakt, tërheq tek ne “Mbrojtësin”, ai që është thirrur pranë nesh për të na ndihmuar në çdo nevojë.

 

3/6  E HËNË  VII K.P. [III]

(p: Sh. Karli Lwanga dhe Shokët, martirë, † 1886)

Vap 19,1-8; Ps 67; Gjn 16,29-33

Filluan të flisnin në gjuhë të ndryshme e të profetizojnë   Vap 19,6

U ka ndodhur në Efes, dymbëdhjetë burrave mbi të cilët Pali shtriu duart. Mbi ata kishte zbritur Shpirti Shenjt, dhe shenjat ishin të qarta, të dukshme për të gjithë. Ne shkojmë, me kujtim, në çastin e Përforcimit tonë, por edhe të ndonjë momenti të veçantë – një rrëfim, një bekim – në të cilin Jezusi, nëpërmjet një apostulli të vet, ka vënë dorën e tij mbi ne, duke na rinovuar dhuratën e Shpirtit Shenjt. Shenjat kanë qenë gjithmonë: mbi të gjitha, forcë e re për të dashur dhe shërbyer.

 

4/6  E MARTË  VII K.P. [III]

Vap 20,17-27; Ps 67; Gjn 17,1-11

Shpirti i Shenjt më siguron se në çdo qytet më presin prangat dhe vështirësitë  Vap 20,23

 

Sh. Pali, në Milet, në Turqinë e sotme, po përshëndet të parët e Kishës: ka përmbushur misionin e tij, po niset për Jerusalem, ku – e ndjen në shpirt – që e presin “prangat dhe vështirësitë”. Në Ungjill sot do të lexojmë lutjen e Jezusit, përpara se të vdesë e të ringjallet, të drejtuar Atit. Edhe ne do ta përqafojmë gëzimin e kryqit tonë të përditshëm, duke ditur çmueshmërinë në sytë e Zotit. E do të themi me besim: “Eja, o Shpirt Shenjt!”. Aleluja!

 

5/6  E MËRKURË  VII K.P. [III]

(p: Sh. Bonifaci, ip. e mart., † 754

Vap 20,28-38; Ps 67; Gjn 17,11-19

Më i lum është ai që jep se ai që merr  Vap 20,35

 

Derisa nuk të njihja, o Jezus, mendoja vetëm për vetveten; unë nuk do të kisha qenë në gjendje të kaloj një minutë, përveçse për të gërshetuar së bashku disa thërrime të gëzimit të rremë. Kur ke hyrë në zemrën time – të bekuar atë ditë! – kam njohur gëzimin për të dhuruar, për të vënë në dispozicion atë pak që kisha. Faleminderit për dashurinë tënde, o Jezus, që na bën të eksperimentojmë edhe këtë lumturi!

 

6/6  E ENJTE  VII K.P. [III]

(pf: Sh. Norberti, ip., † 1134)

Vap 22,30; 23,6-11; Ps 15; Gjn 17,20-26

Edhe unë ua dhashë lavdinë që ti ma dhe  Gjn 17,22

 

Lavdinë, që Ati i ka dhënë Birit Jezus, nuk mund të jetë tjetër veçse jeta e tij, që është dashuri: është Shpirti i Shenjt. Dhe Jezusi na e jep neve: ne falë atij, dishepuj të Jezusit, jemi një gjë e vetme, në përngjasimin e Hyjit tonë, jemi prania e tij në botë. Kjo është lavdia  të cilën mund të synojmë, sepse është lavdia e Zotit tonë, është jetë për botën. Eja, o Shpirt Shenjt! Aleluja!

 

 

7/6  E PREMTE  VII K.P. [III]

Vap 25,13-21; Ps 102; Gjn 21,15-19

Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua  Gjn 21,17

 

Ta duam Jezusin! Nuk është një gjë e vogël, nuk është një naze… Është ajo që Jezusi vetë ka dëshiruar prej Pjetrit, ku prej tij, ka qenë i zgjedhur që të ishte mbështetje, udhëheqje dhe instrument bashkimi për gjithë të tjerët. Kjo është ajo që e bën secilin prej dishepujve të tij të çmuar, edhe më të voglin dhe më të panjohurin; që e mbështet dhe e bën të frytshme e të çmueshme jetën dhe sakrificën. Eja akoma, o Shpirt Shenjt! Dhe mua më dhuro vetëm dashurinë për Jezusin! Aleluja!

 

8/6  E SHTUNË  VII K.P. [III]

Vap 28,16-20.30-31; Ps 10; Gjn 21,20-25

Pali i mirëpriste të gjithë ata që shkonin tek ai, duke u shpallur mbretërinë e Hyjit  Vap 16,30-31

 

Pali është në Romë, në pritje që të gjykohet nga gjykata e Çezarit. I është lejuar të banojë për hesapë të vet, nën vëzhgimin e një rojeje. Ai, ama, ka diçka më të rëndësishme për të menduar se sa për jetën e tij... I ngjan shumë një bashkëvëlla i bashkësisë sime: kur, shpesh i shtruar në spital, nuk e humbte rastin për të shpallur edhe atje dashurinë e Atit, shëlbimin e Jezusit! Eja akoma, o Shpirti i dëshmisë dhe i gëzimit!

 

9/6  E DIEL RRËSHAJËT  Viti C          (E kremte)[P]

Vap 2,1-11; Ps 103; Rom 8,8-17; Gjn 14,15-16.23-26

Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë Gjn 14,16

 

O Jezus, ti na ke premtuar që Ati do të na japë një Këshillues dhe Mbrojtës, që të jetë i pranishëm kur ti s’do të jesh më i dukshëm për sytë tanë. E ne sot gëzojmë me të vërtetë veprimin e tij. A i na ndihmon të kemi besim në Atin dhe të të bindemi ty me gëzim dhe gadishmëri. Shpirti i Shenjt ka ardhur! Faleminderit, o Atë, dhe faleminderit ty, o Jezus!

 

10/6  E HËNË  X GJ.V. [II]

2Kor 1,1-7; Sal 33; Mt 5,1-12

Pasi jeni pjesëtar në vuajtje, do të jeni edhe në ngushëllim  2Kor 1,7

 

Edhe unë, megjithëse akoma shumë i papërkryer në ndiekjen e Jezusit, bëj këtë eksperiencë të përditshme. Kur mirëpres një kryq, që mund të jetë një keqkuptim ose një poshtërim, pak më vonë eksperimentoj gëzimin e një takimi të pasur me bashkimin në Shpirtin Shenjt, të një ngushëllimi në dëgjesën e Fjalës së Jezusit, të një rasti për të shpallur shëlbimin e tij. Faleminderit, o Zot, Jezus!

 

 

11/6  E MARTË  SH. BARNABA, Ap. (p) [P]

Vap 11,21b-26;13,1-3; Ps 97; Mt 10,7-13

Të gjithë i nxiste, të qëndronin me gjithë shpirt në Zotin  Vap 11,23

 

Sh. Barnaba, duke i vizituar të krishterët e Kishës të sapolindur të Antiokisë, u kërkonte atyre, me autoritetin e apostujve, që “të qëndronin me gjithë shpirt në Zotin”. Kështu do të jemi edhe ne të vendosur në besnikëri ndaj Jezusit; të vendosur në propozimin e shpalljes së Jezusit, që na bën të lirë dhe të gëzueshëm, të vendosur në dorëzimin e jetës sonë Atit, që të japim shumë fryt. Faleminderit, vëlla i shenjtë, që prej qiellit vazhdon të punosh për gëzimin e njerëzve!

12/6  E MËRKURË  X GJ.V. [II]

2Kor 3,4-11; Ps 98; Mt 5,17-19

Sepse shkronja vret e Shpirti jep jetën  2Kor 3,6

 

Sh. Pali na fton të mos e marrim asnjëherë një fjalë, një rregull ose  një udhëzim, për një absolut. Vëmendja jonë, në fakt, i drejtohet vazhdimisht Atij që, për të mirën tonë, ka dhuruar Fjalën, rregullat, udhëzimet. Ai është Babi ynë që, edhe sot, në dashurinë e tij, don të na udhëheqë nëpërmjet Shpirtit të tij. Kjo është gjithnjë e pranishme në Kishë, është gjithnjë e gjallë në atë që është në marrëdhënie besimi me Jezusin.

 

 

13/6  E ENJTE  XGJ.V. [II]

(p: Sh. Antoni i Padovës, mesh. dhe mës. i K., † 1231)

2Kor 3,15 - 4,1.3-6; Ps 84; Mt 5,20-26

Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit  Mt 5,22

 

I kisha tashmë njëzet vjeç kur kam patur mundësi t’i kërkoj një meshtari se çfarë do të kisha mundur të bëja që t’i pëlqeja Jezusit. Më ka përgjigjur: “Para së gjithash ndihmo mamanë tënde në punët e vogla të shtëpisë”. Kam provuar një gëzim të madh! Në fakt, deri atëherë, isha i përhumbur dhe i lodhur pas skrupujve të kotë dhe gjërave të vogla. Tani, më në fund, vinte tek unë drita e Jezusit, e përvuajtë dhe e fortë: drita e dashurisë për Atin dhe për vëllain. Dhe me atë, vinte gëzimi në mua! Faleminderit, o Jezus!

14/6  E PREMTE X GJ.V. [II]

2Kor 4,7-15; Ps 115; Mt 5,27-32

E nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën  Mt 5,32

 

Ne sot po asistojmë, të pafuqishëm, në prishjen e martesave të filluara me bekimin e Hyjit. Dhe shohim se sa vuajtje lind për bashkëshortët e interesuar, e mbi të gjitha për fëmijët, që shpesh mbeten të shkatërruar për gjithë jetën, duke mos patur mundësi të shijojnë paqen e nevojshme në rritjen e tyre të qetë. Dija e Hyjit është me të vërtetë  largpamëse. Jezusi na e propozon, pa frikë, për t’i thënë gjërat siç janë në sytë e Hyjit.

15/6  E SHTUNË  X GJ.V. [II]

2Kor 5,14-21; Ps 102; Mt 5,33-37

Ju përbejmë në emër të Krishtit: pajtohuni me Hyjin  2Kor 5,20

 

Në apostullin, si në çdo bari të vërtetë të Kishës, pulson zemra e vetë e Jezusit. Me përvuajtëri të përzemërt të dashurisë së vërtetë, ia thotë atij që ende është larg nga përqafimi i Atit: lëre veten që të prekesh prej Jezusit, lëre veten që të kapesh me gjakun që pastron dhe shëlbon, nga fjala e tij që ndriçon, nga dashuria e tij që mbush me paqe e gëzim! Mirëprite Jezusin, do të gjendesh në zemrën e vetë Atit!

 

16/6  E DIEL  TRINIA E SHENJTË Viti C  (E kremte)[P]

Fu 8,22-31; Ps 8; Rom 5,1-5; Gjn 16,12-15

Gjithçka ka Ati, është imja  Gjn 16,15

 

Çfarë shohim, duke parë Hyjin tonë, përveçse dashurisë dhe gëzimit që vjen nga dhurata reciproke e vetvetes, nga mirësia dhe lumturia jonë?

Faleminderit, o Jezus, që ke ardhur mbi tokë për të shndritur  fytyrën e Atit; faleminderit, akoma, sepse me sakrificën tënde na ke bërë të hyjmë në atë, na ke mbushur me dashuri, me Shpirt Shenjt.

 

 

17/6  E HËNË  XI GJ.V. [III]

2Kor 6,1-10; Ps 97; Mt 5,38-42

Ne nuk i japim askujt shkandull  2Kor 6,3

 

Pali përshkruan se si paraqitet një ministër i Zotit, dhe, pse jo, secili prej nesh, që e duam Jezusin, dhe dëshirojmë të jemi, në këtë botë, të tijtë. Le të fitojmë mbi përtacinë: në Besëlidhjen e Re të kërkojmë letrën e dytë drejtuar Korintianëve dhe lexojmë pjesën e sotme: do ta bëjmë tonën të paktën një prej cilësive më të mira të përshkruara nga apostulli, do të mësojmë diçka nga dija e vërtetë, ajo që na bën të jetojmë sipas zemrës së Atit dhe na bën ‘ekspertë’ për të dashur.

 

18/6  E MARTË  XI GJ.V. [III]

2Kor 8,1-9; Ps 145; Mt 5,43-48

Lutuni për ata që ju përndjekin  Mt 5,44

 

Dua ta bëj menjëherë, o Jezus! Sot, nuk ka kush më përndjek për shkak të besimit tim në ty. Por ka, ama, dikush që ma bën të vështirë të jetuarit të Fjalës sate, të qëndruarit gjithnjë në paqe dhe në braktisjen ndaj Atit, në gëzim dhe në dashuri. Dhe ka gjithmonë dikush që e përndjek Kishën. Nuk e gjykoj, nuk e akuzoj; ndoshta është instrument i yti për të më afruar gjithnjë e më shumë tek ti: e vë në zemrën tënde, me dashuri.

 

19/6  E MËRKURË  XI GJ.V. [III]

(pf: Sh. Romualdi, abat, † 1027)

2Kor 9,6-11; Ps 111; Mt 6,1-6.16-18

Hyji e do atë që jep me gëzim  2Kor 9,7

 

Kur duam të bëjmë ndonjë gjë për Zotin, e bëjmë si falenderim për dashurinë e tij, për këtë e bëjmë me gëzim. Kontributi ynë ndaj nevojave të vëllezërve të afërmë e të largët, edhe nëse të vegjël, do të gëzojë edhe zemrën e tij.

 

 

 

20/6  E ENJTE  XI GJ.V. [III]

2Kor 11,1-11; Ps 110; Mt 6,7-15

Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni  Mt 6,8

 

Kemi bërë vizitë një manastiri të Klarisave: kishin vendosur, që për t’i përngjarë sa më shumë Nënës së tyre Kiara, mos të përdornin para. Me të filluar në pranverë eksperienca e tyre, për disa ditë janë ushqyer me filizat e kopështit, por shumë shpejt filloi të mbërrijë provania nga vendet e afërta dhe të largëta aq sa për të mbushur disa furgona për t’i bashkëndarë me të varfërit e Zotit.

 

21/6  E PREMTE  XI GJ.V. [III]

(p: Sh. Luigj Gonzaga, rreg., † 1591)

2Kor 11,18.21-30; Ps 33; Mt 6,19-23

Nëse duhet të lëvdohem – do të lëvdohem me ligshtitë e mia  2Kor 11,30

 

Pali, siç ai vetë ka pohuar, do të kishte përse të lëvdohej: është Hebre, siç kush po e dëgjon; për Ungjillin që është duke shpallur ka vuajtur shumë dhe është munduar...

Ai, ama, lëvdohet vetëm me dobësinë e tij: po, sepse kur këtë ia besojmë Jezusit, Jezusi vetë ndihet i tërhequr tek ne. Dhe aty ku është Jezusi, ka jetë dhe shëlbim!

 

22/6  E SHTUNË  XI GJ.V. [III]

(pf: Sh. Paolini i Nolës, ip., † 431; Sh. Gjoni Fisher, ip., e Sh. Tomë More, martirë, † 1535)

2Kor 12,1-10; Ps 33; Mt 6,24-34

Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet  Mt 6,34

 

Mund të themi me plot gojën që Hyji ynë është më i mirë, më i vëmendshëm se sa më të mirët dhe më të vëmendshmët e baballarëve! Kam vënë re që kur duhet të mendoj për ushqimin ose për veshjen, ose për ndonjë situatë të vështirë për mua apo dikë tjetër, ai mendon me mua, dhe përpara meje ndërhyn. Jam duke mësuar, dalëngadalë, me gëzim, që mos të shqetësohem, që t’i besohem dashurisë së tij.

23/6  E DIEL  KORPI E GJAKU I KRISHTIT Viti C (E kremte) [P]

Zan 14,18-20; Ps 109; 1Kor 11,23-26; Lk 9,11-17

Ai mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau  Lk 9,16

 

Edhe unë do të bëj kështu, o Jezus: do të kërkoj që jeta ime të jetë në shërbim të Mbretërisë sate. Pastaj, nuk do të kërkoj kushedi se ku, kushedi se çfarë: do të gëzoj atë që Ati më vëndos në dispozicion, në situatën time; dhe mbi këtë do të kërkoj bekimin e tij. Faleminderit sepse një ditë ti i ke ofruar Atit për mua të njëjtin Korp tëndin dhe Gjakun tënd si ofertë që vazhdon ta ushqejë dashurinë tënde në mua.

24/6  E HËNË LINDJA E SH. GJON PAGËZUESIT (E kremte) [P]

Is 49,1-6; Ps 138; Vap 13,22-26; Lk 1,57-66.80

Gjon është emri i tij  Lk 1,63

 

I ati dhe e ëma e Gjonit janë të vendosur dhe unanimë në një vendim të pazakontë: emri i fëmijës së tyre nuk do të jetë, siç e parashikon zakoni, ai e një të afërmi; do të jetë një emër i ri, mbartës i shpresës; një emër i dhënë prej Hyjit: jo ‘Zakari’, që do të thotë “Hyji kujton”, por ‘Gjon’, që do të thotë “Hyji do”. Emri i tij do të jetë shpallja e lajmit më të mirë që mund të mendohet!
Sh. Gjon Pagëzuesi, Miku i Dhëndrit, këndo dhe lutu për ne!

 

25/6  E MARTË  XII GJ.V. [IV]

Zan 12,1-9; Ps 32; Mt 7, 6.12-14

Hyni nëpër derën e ngushtë  Mt 7,13

 

Në mëngjes, e vendosja orën e zgjimit pak më përpara, për të patur pak më shumë kohë për lutjen. Shihja akoma krejt errësirë përjashta, dhe vëllai im flinte krejt i qetë në krevatin pranë timit... Me vështirësi ngrihesha, por e dija që Jezusi dinte të ma shpërblente: më jepte gëzim e forcë, dhe më udhëhiqte gjithë ditën.

 

 

26/6  E MËRKURË  XII GJ.V.[IV]

Zan 15,1-12.17-18; Ps 104; Mt 7,15-20

Kështu çdo pemë e mirë, jep fryte të mira Mt 7,17

Çdo njeri është i ftuar të japë fryte të mira, mbi të gjitha një i krishterë, sepse ka Krishtin që e ka shpaguar me jetë fajin e Adamit dhe të mbarë njerëzimit. Ai, sigurisht, na ka mësuar rrugën e dashurisë, e për më tepër, na ka lënë një Mbrojtës për të kuptuar dhe për t’u ruajtur nga “profetët e rrejshëm” – dhe bota ka plot asish.

Sot, Jezusi, më drejton këtë pyetje mua, ty: A dëshiron të jesh një pemë e mirë që jep fryte të mira?

27/6  E ENJTE  XII GJ.V. [IV]

(pf: Sh. Cirili i Aleksandrisë, ip. e mës. i K., † 444)

Zan 16,1-12.15-16; Ps 105; Mt 7,21-29

Kushdo i dëgjon fjalët e mia dhe i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë  Mt 7,24

 

Sapo kisha marrë një përgjigje të ashpër nga një vëlla; dhe duhej të jetonim pranë, të punoja me atë për mbretërinë e Hyjit… Ndërsa dashuria ime dilte në pah, edhe Shpirti Shenjt më ka dhuruar një Fjalë: “Nëse ju nuk do ta falni njëri-tjetrin… as Ati juaj që është në qiell, nuk do t’ua falë mëkatet”. Me pak mundim kam filluar t’i flas me natyrshmëri atij vëllai; më pas, dalëngadalë, ka ardhur mes nesh një gëzim i madh.

 

28/6  E PREMTE ZEMRA E SHENJTË E JEZUSIT (E kremte) [P]

Ez 34,11-16; Ps 22; Rom 5,5-11; Lk 15,3-7

Ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne  Rom 5,8

 

Më pyesin shpesh myslimanët: “Përse ju e mbartni dhe e doni kryqin? A nuk është ai një shenjë poshtërimi ekstrem, madje një turp?”

Më dëgjojnë dhe më vrojtojnë në qetësi, ndërsa në gjuhën e tyre kërkoj të shprehem kështu:

“Për mua, për çdo të krisherë, kryqi do të thotë: Ja, është Dikush që të ka dashur, dhe të do kaq shumë”.

 

 

29/6  E SHTUNË  SH. PJETRI E PALI Ap. (E kremte)[P]

(Zemra e papërlyer e Virgjërës Mari)

Vap 12,1-11; Ps 33; 2Tim 4,6-8.17-18; Mt 16,13-19

Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time  Mt 16,18

 

O Jezus, dashuria jote, ka krijuar një mrekulli: Kishën tënde. Çdo njeri në të, mund ta gjejë gjithnjë Fjalën tënde, faljen tënde, Bukën tënde, mbrojtjen nga e Keqja dhe udhëheqjen. Ti shërbehesh prej njerëzve, në të cilët, për fuqi të Shpirtit Shenjt, falë fesë në ty, ti jeton e vepron.
Shenjtërit Pjetër e Pal, Princat e Apostujve, këndoni aleluja dhe lutuni gjithmonë për ne!

30/6  E DIEL  XIII GJ.V. Viti C [I]

(pf: Shenjtërit Martirët e parë të Kishës së Romës)

1Mbr 19,16.19-21; Ps 15; Gal 5,1.13-18; Lk 9,51-62

Jezusi mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jerusalem  Lk 9,51

 

Në këtë Ditë tënden, o Zot Jezus, të bashkuar si Kisha jote, të lutemi: na dhuro “vendim të palëkundshëm” në të ndjekur ty, në të përqafuar kryqin tënd, në të ecur me ty “drejt Jerusalemit”, vendi i ofertës sate Atit. Shembulli yt, po ashtu si ajo e Profetëve, e Apostujve, e Martirëve dhe e shumë Barinjve dhe Vëllezërve tanë, na mbështet dhe na inkurajon, na jep sigurinë që nuk do të jemi të dëshpëruar: në Jerusalem ti ke fituar mbi vdekjen!

In primo piano